Barazi të ndryshme dhe devianca
Analizë/
Në brezin nordik të sistemeve demokratike si një nga stadet më të larta, atë të socialdemokracisë, pjesë e rëndësishme është ajo e bashkëveprimit shoqëror, komuniteti, kolektivi dhe sidomos grupi në marrëdhëniet sociale e për më tepër stafi në nivelin profesional është më i rëndësishëm sesa individi mbi egoizmin e tij.
Në brezin mesdhetar me një stad të ulët të demokracive liberale dhe diku demokracive sociale, komuniteti apo kolektivi, grupi humbasin përballë një individualizmi të pafre që kthehet në egoizëm. Aq shumë ngrihet liria e njeriut të parë në kuptimin unik dhe absolut, sa uniciteti ndërthuret me egoizmin dhe ka prirje për egocentrizëm. Këtu vihet në qendër egoizmi që i merr të gjitha vlerat përkundrejt stafit që nuk merr asgjë.
Egoizmi, e metë e madhe sipas vendeve nordike, shtohet dhe qendërsohet edhe nga kultura të mbyllura dhe narcistike ku dëshira për të ngritur një mburojë identitare lind tipare të së kaluarës në tribalizëm, tradicionalizëm, lokalizëm e centrizëm, në mit. Kthehet në këto stade edhe sepse nuk dëshirojnë të bashkëveprojnë me kultura të ndryshme e të huaja, si edhe sepse burimin e vlerave e qendërsojnë deri në kulte dhe sidomos në mit.
Për aq kohë sa e kaluara në mendësi fiton mbi të ardhmen kjo shtrihet thellë në mendësi shoqërore ku të gjithë orientohen nga egoizimi dhe miti për të qenë absolut dhe unikë, të papërsëritshëm në histori. Arrihet kjo vetëm me famë që nuk e kanë, pushtet që nuk e arrijnë dhe seks të shfrenuar si tabu me tipare biologjike e cila krijohet nga ndrydhjet që në stadet e formimit të karakterit në deformim e që është analizë e gjatë më vete. (një arsye edhe e dhunës së deformuar në shoqëri.)
Në qoftë se në rendin feudal dhe në njësi administrative si mbretëri, skllavi nuk vihej në hesap sa me të drejtë hyjnore individi i thjeshtë ishte pa status, pra shkrihesh në masë dhe orientohesh nga kleri dhe feja si prerogativ i dijes dhe i kulturës, i të vërtetës absolute, të drejtës hyjnore, me ndryshimet e para të trazirave të këtij rendi lind një e drejtë për me kah nga komuniteti, vëllazëria, e drejta e të humburit në masë, e ndërveprimit shoqëror në komunitet, e vullnetarizmit për t’u përballur në kohë të vështira si një me turmat, e një botëkuptimi ndryshe mbi të drejtën dhe të barabartën. Një lloj krisje identitare e mitit dhe e lindjes më pas të botkuptimit individual të lirë dhe me të drejta të plota.
Me komunizmin si deviacion i sistemit demokratik, si filozofi e të keqes ku ngrihej në qendër diktati për shoqërinë dhe e drejta për të dhunuar pati një deviacion midis formave të së drejtës, të së vërtetës, të reales dhe të një hipokrizie në qenie, mospërfillje sa një pseudonjerëzore mbi të barabartën dhe të njëjtën si stadi më i lart i njeriut ideal ose tipik me prirje nga e drejta shoqërore, juridike.
Masa e njëjtë ose organizimet në turma, kolektiv apo një tërësie njerëzish që mendojnë njësoj dhe veprojnë sipas një devize njësoj, udhëheqin së bashku e veprojnë po ashtu, e kthen tiparin e barazisë në filozofinë komuniste psh, të Marksit, apo imagjinaren e Babëfit në shoqëri e më vonë me nje deviacion të kësaj filozofie në implementimin politik nga Leninizmi e më tutje që prodhuan një deviacion të fortë të barazisë mbi të drejtën njerëzore. Pavarësisht se trumpetohej, psh i pari i partisë nuk ishte njësoj si në të mira materiale, statuore me një të fundin e fshatit. Edhe në qoftë se stallierja bëhesh anëtare e Komitetit Ekzekutiv ajo kishte hequr të njëjtën dhe ishte bërë ndryshe në raport me masën. Masa gjasme në komunitet dhe fryma e popullit si ekip do të prodhonte paradoksalisht me anë të mitit dhe kultit të individit ndryshuemshmëri dhe njëjtësi.
Në vetvete ishte imitim. Cfarë u prodhua nga ky komunizëm?
Nga ana e bashkëveprimit socialpsikologjik u prodhua si majë e bashkëeprimit ndërpersonal miti. Simbolika apo legjenda e mitit zhvendosi një arkaizëm ose të themi në gjuhën Jungiane, ‘’arketip’’ të një njeriu heroik përkundër 99 të tjerëve të një mase 100 njerëzore që për rrjedhojën e tyre të papërsosur të asosacioheshin ose ta zhvendosnin unin e tyre të masës në një model arketip të mitit që ishte ndryshe nga ata. Ata dëshironin të imitonin sjelljet e mitit të tyre për të ndryshuar dhe kjo varësi që paradoksalisht prodhonte përsëri masën e cila me ngulm në vetvete donte të ishte si miti. Masa prodhonte dhe donte të imitonte këtë prodhim. Ajo mitizohesh për të qenë e tillë por e shikonte që realiteti ishte paradoksalisht mosndryshimi. Nga ana tjetër këtë ndryshim social e kishte si premisë vetëm miti. Ndodh që një pakicë simbolike pseudo të ngrihet mbi një shumicë pseudo njeri të arrirë kurse të tjerët duheshin të ëndërronin medomosdo këtë elitë që shikohej e arrirë pavarësisht se mund të ishte pseudo dhe e pavlerë, e pashkollë, e paditur, avdalle, mediokre por që mbijetonte në kushtet e simbolit, dhunës dhe frikës.
Më qartë kjo duket sot në media. Ngrihen dhe mbahen në qendër të vëmendjes edhe sot me pahir të themi 10 figura simbolike që duhet të centrojnë e të stabilizojnë këtë mitologji. Nga kjo këta përfitojnë gjithçka, statusin, ekonominë, vlerat, famën, suksesin, preferencat dhe kompetencat. Kjo madje edhe kur nuk bëjnë gjithçka, kur janë mediokër apo sipërfaqësorë ata janë shumëçka për të rrethrrotulluar socialen dhe atë që dikur quhej masë, sot përfshihet në audiencë deri në komunitete bashkëvepruese. Këta vihen në qendër të vëmendjes për prodhimin e simbolikës mitologjike dhe të kulteve të reja të individëve.
Brezi i dytë është miqësia. ‘Miku’ që degradon deri në nepotizëm krijohet si avantazh i bashkëveprimit social. Meqë kjo tufë njerëzish i delegon kompetencat për t’u plotësuar në qenie atëherë nga përfaqësimi i mitit, ajo prodhon mekanizmin e mbrojtjes për statusin e saj, sigurinë e kjo i kthen edhe për nga ‘ndërhyrësi’ ku çuditërisht kjo pjesë e madhe ngelet e përjashtuar pasi përzgjidhet ajo elitë që është më e sigurt për mit dhe kult, pra të bashkëveprimit të rendit simbolik. Këto prodhohet edhe lokalja, krahinorja, fisnorja, apo tipare të qendërsimit të egoizmit të kaluar për nga i pari i fisit, i krahinës, i periferisë deri në qendër etj.
Prodhohet mekanizmi i kundërt i asaj që dëshirohej. Sa më tepër mbyllet kultura aq më shumë prodhohen këto mundësi. Shoqëria do të ndryshojë po rikthehet çuditërisht në fis dhe gen për nga e drejta hyjnore ku siguria përcaktohet nga i deleguari i hyjit, prijësit, dikur famës, të papërsëritshmes etj. Duan të prodhojnë të renë kur në fakt mekanizmi prodhon të vjetrën. E vjetra prodhon një të re që çuditërisht nuk bën ndryshimin por çimenton dekadë pas dekade të vjetrën në një rreth vicioz.
Kjo mbase i bën masat në kuptimin e vjetër dhe komunitetet në kuptimin e ri mos ta gjejnë veten në këtë ndryshim të mosndryshimit për të emigruar, mbase një arsye e përhershme për emigrim.
Në qoftë se në SHBA të themi ideologjia përkrah dhe triumfon individualizmin dhe personalizmin pa cënuar kolektivizmin në raste krizash dhe bashkëveprimesh të ndryshme sociale deri në stadi ne grupit, në kultura të mbyllura krijohet individualizmi fals ku si meritë ngrihet nepotizmi, vdes vullnetarizmi social dhe jo rastësisht ngrihet vullnetarizmi politik që ideohet shumë shpejt me mite e kulte individi. Po ta cjerrësh pak këtë dalin në pah forma mesjetare të bashkëveprimit si bij të etërve me nipër e mbesa, establishmente si prirje dhe dinasti, qoftë këto politike, ekonomike, kulturore, sociale, profesionale, shpirtërore, madje kjo e kundërta e filozofisë së Marksit që kritikonte oligarkinë, nga vetë fjala një grup i mbyllur që përfiton gjithçka. Një lloj sistemi paraqytetërimor me kah nga e kaluara.
Pseudokulturat e mbyllura rikthehen te siguria e dikurshme ku e ndryshmja duket si rrezik.
Pikërisht kjo vret individualizmin në këto kultura e arrin në kufirin e poshtë ekzistencializmit. Njeriu në këtë stad jeton më shumë me halle për të mbijetuar sesa jeton për të qenë një qenie njeri, ai e zhvendos qenien njeri thjesht për ekzistencë, edhe me forcën që prodhon devianca e teprica prodhuese si psh, ujë Shqipëria ka plot po rubineti ka pak se prishen e nuk mundet dot të rregullohen, hajde të marrim bidonat e t’i mbushim, të kursejmë, të vuajmë për të qenë të kënaqur sepse kështu e ka jeta, të bëhemi të këqinj që të jemi të mirë. Nga ku merr hov përsëri filozofia e së keqes. Me anë të të qenurit me forcë dhe dhunë, diktat ne bëhemi më të mirë. Këtë e fshehim thellë në pseudon tonë të paarrirë në qenie sepse atë e kemi deleguar tek miti.
Në vendet nordike ekipi dhe grupet, komuniteti me anë të prodhimtarisë dhe të ndryshimit, kulturave të hapura dhe bashkëvepruese e kalojnë ekzistencializmin, reformojnë vetveten dhe arrijnë tek teprica, çelësi i ndërtimit të sistemit demokratik dhe kapitalizmit. Grupi apo ekipi, komuniteti shkrihet një në sukses dhe forma të barabarta bashkëvepruese, triumfojnë për njëri-tjetrin, edhe e ndryshmja vihet në veprim për të njëjtët e grupit, më shumë ka rëndësi grupi në sukses e më këtë triumfon shoqëria.
Këtu individualizmi përputhet me Neomarksizmin që si devizë kanë aspektet pozitive që pillte ideologjia e Marksit (kritikon aspektet negative të kësaj filozofie si psh, lufta e klasave, diktati etj) mbi barazinë e shoqërisë për të udhëhequr dhe shpërndarë të mirat si edhe lirinë e individit që të jetë ndryshe në këtë ekip e për të formuar më tepër shtresën e mesme, bazën e demorkacisë. Mund të merren si referencë ato fshatrat e Danimarkës ku rrethe të njëjta të izoluara muresh me peme dekorative kanë vila të ndryshme brenda, ku komunitetet fetare, profesionale apo shoqërore bashkëveprojnë të njëjta në mendësi të ndryshme dhe japin rezultatin e krijuar. Ligjësitë e të drejtës shoqërore të demokracisë si premisa dhe paketa e lirive universale sa logjika e kapitalizmit e shpie në atë që ndryshe quhet socialdemokraci e që nga jashtë për nga ndrydhja shqiptarët me pseudoqenie e shikojnë si formë e avancuar e komunizmit stalinist.
Këto kultura të mbyllura post, të cilat nxjerrin shumë liri të pafre, probleme të theksuara sociale me tëhuajtjen e grupores, refuzojnë vullnetarizmin, shoqërizimin dhe aktivizimin social si pjellë e vetme e punës shoqërore të dikurshme në komunizëm e që solli varfëri dhe mjerim.
Në këtë kuptim rikthehet mendësia, ekipi, komuniteti, stafi nuk njihet dhe nuk duhet të njihet sepse ajo prodhon nga populizmin deri në dogamtizmin, në ideologji shterpë meqë është pjellë e komunizmit. Krijohet një njeri i vetmuar i pafre që con në deviacione të shëndetit mendor drejt marrëzisë dhe tipare skizofrenike që vijnë nga kontradiksioni. Ai vë në qendër për të shpëtuar përsëri modelin, mitin me anë të legjendës dhe e refuzon kategorikisht socialen, socialja dhe e mira e përbashkët shikohet si murtajë apo epidemi. Miti megjithëse i paarrirë për ta ndryshuar këtë njeri e do ashtu si është në deviacione për të qenë akoma mit, pra kthehet në dëm të shoqërisë iluzionare. Kjo qoftë me udhëheqësin ose me ato që thuhet ndryshe në bashkëveprimin ndërpersonal në media, liderin e opinionit.
Nga kjo kuptohet dallimi midis konceptit të barazisë të themi të vendeve të ulta e nordike me konceptin pseudo të barabartë në kultura që vijnë nga totalitarizmi, diktati, dhuna që nuk kërkon paqe, nuk kërkon liri por varësi, mungesë të dashurisë dhe shtimit të urrejtjes, hipokrizi dhe mospërfillje si jemi ne sot në Shqipëri.
Me zor ne duam të ndryshojmë të kaluarën dhe me po atë fuqi ne duam të kthehemi tek e kaluara sepse aty buron siguria dhe forca jonë për të ecur para.
Me anë të mitit si përfaqësim social.
Praktikisht në paradoks! Autori: Eugent Kllapi.

Leave feedback about this