Të njohim qytetin Malmö
Udhëtim nëpër Suedi

Të njohim qytetin Malmö

❇️Të njohim qytetin Malmö❇️

Malmö (shqiptohet: Malmë) është qyteti i tretë më i madh në Suedi dhe ndodhet në provincën jugore të Skåne.
Ka rreth 325.000 banorë si komunë dhe afërsisht 658.700 në zonën metropolitane.
Malmë është një nga qytetet e para dhe më të industrializuara në Skandinavi, por në dekadat e fundit është përpjekur të përshtatet me epokën post-industriale.
Qyteti ka shumë ndërtesa dhe parqe historike dhe është gjithashtu një vend i njohur për tregëti për shkak të dyqaneve të tij të shumta.
Vitet e fundit është krijuar një kolegj universitar (Malmö Högskola) dhe qyteti po përpiqet të fokusohet në arsim, art dhe kulturë.

Qyteti është i njohur për parqet e tij të mëdha, hapësirat e gjelbra dhe konsiderohet një model i zhvillimit të qëndrueshëm urban.
Më 9 maj 1992, ai organizoi festivalin e 37’të të Eurovizion, si dhe Eurovizionin 2013.

Malmö FF është ekipi profesionist i futbollit të qytetit.

”Historia”
Hera e parë ku Malmë përmendet në nje dokument të shkruar si qytet daton në vitin 1275.
Mendohet se është themeluar disa dekada më parë, si një port i fortifikuar tragetesh ose ankorim i Kryepeshkopit të Lundit, rreth 20klm në verilindje. Malmö ishte qyteti i dytë më i madh i Danimarkës për shumë shekuj. Emri i tij origjinal ishte ”Malmhaug”, që do të thotë “Grumbull Zhavorri”.

Në shekullin e 15-të Malmë u bë një nga qytetet më të mëdha dhe më të populluara të Danimarkës, duke arritur një popullsi prej rreth 5000 banorësh.
Koka e grifinit si simbol i Malmë është përhapur në të gjithë provincën e Skåne që nga viti 1660.
Në vitin 1434 u ndërtua një kështjellë e re në bregdetin jugor të qytetit. Kjo kështjellë, që tani njihet si Malmöhus, e mori pamjen e saj të sotshme diku mesin e shekullit të 16’të.
Gjithashtu u ndërtuan disa fortifikime të tjera, duke e bërë atë qytetin Malmë si më të fortifikuarin në gjithë Suedinë, por sot vetëm Malmöhus mbijeton akoma.

Në shekullin e 17’të Malmë dhe rajoni Skonian (Skåneland) ranë nën kontrollin suedez. Kjo ndodhi pas Traktatit të Roskildës në Danimarkë, i cili u nënshkrua në vitin 1658. Megjithatë, luftimet mes Suedisë dhe Danimarkës vazhduan për shumë vite akoma.
Në qershor të vitit 1677, 14,000 trupa daneze rrethuan Malmën për një muaj, por nuk i’a dolën të mposhtnin trupat suedeze që e mbronin atë.

Në fillim të shekullit të 18’të, Malmë kishte rreth 2300 banorë. Megjithatë, për shkak të luftërave të Karlit XII të Suedisë (mbretëroi 1697-1718) dhe epidemisë së murtajës inguinale, popullsia ra në 1500 banorë deri në vitin 1727. Popullsia nuk u rrit shumë në vitet që pasuan deri kur u ndërtua porti modern në fund të shekullit të 18’të. Pas kësaj qyteti filloi të zgjerohej dhe në vitin 1800 kishte 38.054 banorë.

Në vitin 1840 Frans Henrik Kockum themeloi punishten e tij prej nga ku u krijua kantieri detar Kockum i cili evoluoi në një nga kantieret më të mëdha në botë.
Mes viteve 1856 dhe 1864 Malmö filloi të bëhej një qendër prodhimi, me industri të mëdha tekstili dhe mekanike.
Në 1870, Malmö tejkaloi qytetin e Norrköping për t’u bërë qyteti i tretë më i populluar i Suedisë.

Nga mesi i viteve 1970, Suedia u përball me krizën ekonomike që goditi veçanërisht rëndë sektorin industrial, kantieret detare dhe industritë përpunuese, gjë që çoi në papunësi të lartë në shumë qytete të Skåne’s. Kantieri Kockum ishte bërë një simbol i Malmës si punëdhënësi i saj më i madh dhe, kur industria e ndërtimit të anijeve ndaloi në vitin 1986, besimi për të ardhmen e Malmës ra ndjeshëm mes politikanëve dhe popullit. Përveç kësaj, shumë familje të klasës së mesme u zhvendosën në zonat periferike si Vellinge, Lomma dhe Staffanstorp.
Deri në vitin 1985, Malmë kishte humbur 35,000 banorë dhe kishte rënë në 229,000 banorë.

Kriza ekonomike suedeze e viteve 1990 e përkeqësuan Malmën si një qytet industrial.
Gjatë viteve 1990 dhe 1995, Malmë humbi rreth 27,000 vende pune dhe ekonomia e tij ishte e tensionuar rëndë. Megjithatë, nga viti 1994 nën drejtimin e kryebashkiakut të atëhershëm Ilmar Reepalu, qyteti i Malmö filloi të krijonte një ekonomi të re si qendër e kulturës dhe dijes. Malmë arriti gjendjen më të keqe në vitin 1995, por i njëjti vit shënoi fillimin e projektit masiv të Urës Öresund, e cila siguroi vende të reja pune në një industri ndërtimi që ishte goditur rëndë nga kriza në fillim të viteve 1990. Në të njëjtin vit, u vendos gjithashtu që Malmö të kishte një universitet të pavarur nga Lundi.

Në vitin 2000 u përurua Ura e Öresundit.
Në vitin 2001 u mbajt Bo01, që ishte fillimi i një distrikti të ri, Västra hamnen.
Në vitin 2002, kantieri Kockum u zhvendos në Korenë e Jugut. Zhvendosja e kantierit Kockum u bë simboli i zhdukjes së “Arbetarmalmö’s” së vjetër.
Në vitin 2005, filloi ndërtimi i tunelit të qytetit, i cili u hap për trafik më 12 dhjetor 2010, si rrugë automobilistike, hekurudhë duke e lidhur atë me Kopenhagën dhe hekurudhat e Evropës.

Universiteti Malmës u themelua më 1 korrik 1998 me programe të arsimit të lartë që tashmë ekzistonin në Malmö dhe që i përkisnin Universitetit të Lundit ose Komunës së Malmës si bazë, midis arsimeve të tjera dentare, mësuesise dhe infermierie.
Universiteti, qe prej vitit 2018, universiteti është bërë i rëndësishëm për rritjen e vendeve të punës (në sektorin e IT dhe të tjera).

Pregatiti në shqip Eduart Ndreu

Foto nga: sgbc.se

Leave feedback about this

  • Rating