Rruga për në BE pengohet nga debati politik dhe Serbia
Suedia

Rruga për në BE pengohet nga debati politik dhe Serbia

Rruga për në BE pengohet nga debati politik dhe Serbia

-Eurodeputetja Arba Kokalari takim me komunitetin shqiptar në Stockholm

Arba Kokalari, deputete e Suedisë në parlamentin europian zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Stockholm lidhur me politikat e BE për zgjerimin, ku në fokus ishin Shqipëria dhe Kosova. Zonja Kokalari është shqiptarja e parë deri tani që është zgjedhur në PE (parlamentin europian) dhe pavarësisht se ajo përfaqëson Suedinë në këtë institucion, nuk mund ta shohë veten të shkëputur nga origjina e saj shqiptare, Tirana ku ajo ka lindur apo edhe Kosova, lidhjet familjare me të cilën janë të hershme. Në takimin e mbajtur në Europahuset (Shtëpia e Europës), eurodeputetja Kokalari tha se tani është momenti kur Europa është më shumë pozitive sesa në të shkuarën po mendon seriozisht për zgjerimin e saj në Ballkan. Sa i takon Shqipërisë, zonja Kokalari tha se pengesë mbetet debati i ashpër politik dhe problemet me funksionimin e shtetit ligjor. Shqipëria në fakt është pranuar si vend kandidat 10 vjet më parë, ndërsa në korrik 2022 u hapën negociatat për anëtarësim në BE. Përsa i përket Kosovës që në 2022 ka dorëzuar kërkesën si vend kandidat, konflikti i herëpashershëm në Veri i nxitur nga serbët, po ngadalëson së tepërmi ecurinë e këtij vendi drejt BE. Kokalari tha se ka një synim të disa vendeve të BE që 9 vendet që presin për t’u anëtarësuar të bëhen pjesë e BE në vitin 2030, por kjo duhet të shtojë ritmin e punës së qeverive dhe administratës në Tiranë dhe Prishtinë për të ecur paralelisht me legjislacionin e BE që ndryshon vazhdimisht. “Dy vendet tona duhet të bëjnë lobim më të madh në Bruksel”- tha Kokalari, duke kujtuar se vendet e tjera janë shumë më aktive në këtë drejtim.

Në përgjigje të një pyetje lidhur me atë  që si mund të detyrohet Tirana për të realizuar detyrat e shtëpisë, Kokalari u shpreh se qytetarët nga ana e tyre duhet t’i bëjnë presion politikës që të mos nxisë klimën e konfliktit, ndërsa shtoi se BE duhet të shtojë kontrollin ndaj fondeve të akorduara për Shqipërinë. Sa i takon Kosovës, eurodeputetja Kokalari tha se Parlamenti europian ka mbetur i shokuar nga qëndrimi i Borrel dhe Laiçak, të cilët pas sulmit të fundit të militarëve serbë në Mitrovicë, kërkuan masa ndëshkuese edhe për Kosovën. Ajo tha se ka kritikuar këto qëndrime dhe u deklarua e bindur se këta dy zotërinj nuk do të kenë më këtë rol pas zgjedhjeve të reja të PE në fillim të qershorit 2024. E pyetur për marrëveshjen Meloni-Rama për strehimin e refugjatëve nga Afrika në Shqipëri, Kokalari tha se kjo ka shkaktuar pakënaqësi në Bruksel, pasi është një akt që shkon kundër marrëveshjes së BE për të mbajtur emigrantët jashtë territorit të vet deri në shqyrtimin e kërkesës për azil. Të pranishmit në këtë takim treguan interes me pyetjet e tyre edhe për qëndrimin grek ndaj Shqipërisë në rastin Beleri apo edhe qëndrimin e butë europian ndaj Serbisë.

Ky ishte takimi i parë i zonjës Kokalari me komunitetin shqiptar në Stockholm, ndërsa ajo u shpreh e bindur se takime të tilla për çështje të ndryshme do të jenë të rregullta. Arba Kokalari është përfaqësuese e lartë e Moderaterna, parti e djathtë që drejton qeverinë në Suedi që vjeshta e vitit 2022. Arba Kokalari është sërish në toplistën e Moderaterna për në zgjedhjet e parlamentit europian që mbahen këtë fillimvere!

Arben Vata, Stockholm

Leave feedback about this

  • Rating