Valburga ”Valborg” është një nga traditat më të vjetra në Suedi.
Valburga, ose nata e Valburgjisë (valborgsmässoafton) festohet më 30 prill.
Kjo festë erdhi në Suedi nga Gjermania diku gjatë Mesjetës.
Në fillimet e saj kjo festë ishte një festë katolike dhe i kushtohej ditës së emrit të Shën Valpurgës.
Në mesjetë lidhej me magjinë dhe shtrigat, ndërsa në ditët e sotme është kthyer në një ngjarje folklorike popullore që lidhet me majin, kukudhët dhe ardhjen e pranverës.
Valburga ishte një princeshë anglo-saksone që shërbeu në një mision fetar në Gjermani në shekullin e tetë, ku ajo u bë abate dhe pas vdekjes u shpall shenjëtore.
Dhe pikërisht me 30 prill të çdo viti, në Natën e Valburgjisë, suedezët festojnë ardhjen e pranverës me këngë dhe zjarre në çdo cep të saj.
Pse ndizen zjarre?
Festa e Valburgjisë është caktuar në të njëjtën mbrëmje me “të shtunën e shtrigave”, një festë që besohej se festohej nga shtrigat së bashku me djallin. Prandaj njerëzit ndezin zjarre për t’u mbrojtur nga këto forca të liga.
Ky zakon gjerman u përhap më vonë në Suedi duke u bërë traditë në çdo cep të saj.
Një teori tjetër se pse suedezët ndezin zjarre këtë mbrëmje e ka origjinën nga zonat mesjetare të Danimarkës së Vjetër, domethënë Skåne, Blekinge dhe Halland. Atje të rinjtë e fshatrave u binin kambanave të kishës për të thirrur banorët për t’u grumbulluar e festuar festa të ndryshme. Kur u vendos ndalimi i përdorimit të kambanave të kishës për qëllime të tilla, të rinjtë filluan të ndezin zjarre për të mundur të thërrasin të njëjtën gje.
Gjithashtu fermerët ndiznin zjarre gjatë natës së Valburgjisë. Ishte pikërisht kjo natë kur bagëtitë e tyre sulmoheshin më shumë nga kafshët e egra, kështu që ata e bënë si zakon për të ndezur zjarr përjashta në mënyrë që të mund të shpëtoheshin nga sulmet e kafshëve të egra.
Gjatë periudhës së pasluftës së dytë Botërore, festivali mori një nxitje kur organizatat e punëtorëve, kështu i gjithë populli filloi të organizojë zjarre Valburgjie në zona të ndryshme banimi. Diçka që sot është bërë një traditë e bukur.
A është Valburgjia ditë e kuqe?
Shumë njerëz pyesin nëse Valburgjia është një ditë e kuqe. Përgjigja është jo, Nata e Valburgjisë llogaritet si një ditë normale jave. Megjithatë, e nesërmja, 1 maji, është një ditë e kuqe dhe për këtë arsye shumë punojnë gjysmë dite në Valburgë.
Pregatiti Eduart Ndreu.
