Familja & Shtëpi Opinion

Ndoshta Suedia nuk është vendi i duhur për gjithëkënd.

Alvin Mielli: Ndoshta Suedia nuk është vendi i duhur për gjithëkënd.

Kur erdha në Suedi, në rininë time, gjeta shoqërinë e idealeve të mia të atëhershme.
Një shoqëri të përparuar ku çdo gjë ishte e rregulluar me ligje dhe rregulla. Ku njerëzit ishin përgjegjës dhe i përmbaheshin atyre.
Prona e përbashkët nuk vidhej, por mbrohej me rigorozitet nga shteti por edhe nga vetë njerëzit.

Çdo gjë ishte në vendin e vet.
Gjithçka ishte ndërtuar me shije dhe me cilësi.
Ishte më e lehtë të veproje drejt e sipas ligjit.

Jeta ishte më e lehtë. Vlente më shumë se andej nga kisha ardhur. Ishte më e sigurt.

Njerëzit ishin të sinqertë dhe mikpritës. Të dobëtin nuk e tallnin dhe as e shkelmonin por e përkrahnin.
Njerëzit ishin solidarë me të si dhe me njëri-tjetrin.
Njeriu për njeriun nuk ishte ujk, por njeri.
Individualizmi shikohej me sy të keq.

Ishte arritur një nivel i lartë i barazisë në shoqëri. Midis punëtorit dhe intelektualit. Burrit dhe gruas. Fshatit, krahinës dhe qytetit. Midis racave dhe kombësive.
Ligji vepronte i njëjtë për të gjithë.

Ishe i lirë të dashuroje kë të doje, pa dallim përkatësie kombëtare apo ngjyre lëkure, si dhe sa herë të doje, pa të paragjykuar njeri.
Ishte arritur një shkallë e lartë e lirisë së individit e cila respektohej nga të gjithë.

Nuk kishte korrupsion e hatërllëqe. Tepricat në të ardhura mblidheshin përmes një sistemi funksional taksash dhe dërgoheshin aty ku kishte nevojë. Për të ndërtuar kështu shoqërinë e mirëqenies, për të gjithë.
Sepse nuk mund të jetosh mirë nëse ka njerëz që jetojnë keq.
Pabarazia sjell konflikte në shoqëri.

Për mua të gjitha këto gjëra ishin të rëndësishme. Kjo ishte shoqëria ku doja të jetoja. Të isha pjesë e saj. Prandaj vendosa të qëndroj me çdo kusht.

Këtu në Suedi arrita të mira materiale që nuk do t’i kisha arritur kurrë me punë në vendin tim si dhe ta ngre veten time në nivele që nuk do të mund t’i arrija atje nga erdha.
Arrita gjithashtu tu jap fëmijëve të mij një jetë që s’do t’ua jipja dot në vendin tim.

Tani im bir ankohet se pse e kemi sjellë në jetë në këtë vend të ftohtë.
Thotë se taksat janë të larta dhe nuk i plotëson dot planet e tija prej tregtari për tu bërë i pasur shpejt.
Thotë se ka shumë rregulla që e pengojnë dhe bezdisin atë.
Argumentet e mia nuk ia mbushin mendjen.

Don të shkojë në një vend të ngrohtë e me pak rregulla. Ku edhe taksat të jenë të ulëta. Ndoshta në Shqipëri, vendin nga kam ardhur unë.
Apo ndoshta Spanjë.
Apo pse jo, SHBA.

Ndoshta Suedia nuk është për gjithëkënd.
Po nuk të pëlqyen rregullat dhe marrja e përgjegjësisë, ndoshta Suedia nuk është vendi i duhur për ty.

Exit mobile version