Vjen mes nesh “TEUTA” e Stockholmit

Ky është emri që i shtohet shoqatave të shqiptarëve në Suedi. Qendra e saj është aktualisht në Stockholm, por qëllimi është që në një të ardhme jo të largët, TEUTA, të ketë bashkëpunëtorët e saj edhe në rajone të tjera të Suedisë. TEUTA, emri i mbretëreshës sonë ilire, vjen në Skandinavi si një përpjekje për të treguar vlerat tona si komb i vjetër dhe i qytetëruar europian.
Përse duhet edhe një shoqatë tjetër, sidomos në Stockholm?
Sipas profilit të tyre, organizimet e deritanishme të shqiptarëve në kryeqytetin suedez kanë përmbushur në një nivel të caktuar pritshmëritë e një numri të konsiderueshëm bashkëatdhetarësh, por në kushtet kur numri i shqiptarëve që kanë ardhur ( dhe po vijnë) për të punuar e banuar në Stockholm është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ne mendojmë se ka ardhur koha për një organizim tjetër, ndoshta më të specifikuar.
Nga bisedat dhe konsultimet e vazhdueshme dhe për një kohë të gjatë me përfaqësues të komunitetit nga të gjitha moshat, kemi vënë re një dëshirë të shtuar të bashkëatdhetarëve për organizime të tjera, të cilat ne kemi planifikuar që të jenë të orientuara për mosha dhe kategori të caktuara. Nuk është rasti që në këtë njoftim të bëjmë publike projektet tona, por me siguri që kjo do të ndodhë në kohën e duhur dhe çdo gjë do të jetë transparente, si për anëtarësinë e shoqatës, ashtu edhe për këdo tjetër.
Çfarë lloj shoqate do të jetë kjo?
TEUTA, është një shoqatë kulturore, jo politike, jo fetare dhe jo fitimprurëse. Aktivitetet që do të zhvillohen do të jenë me karakter edukues, kulturor e argëtues si dhe do të kenë për qëllim mes të tjerash ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe zakoneve nga të gjitha trevat shqiptare. Shoqata do të shërbejë gjithashtu për të lehtësuar sadopak të jetë e mundur integrimin e shqiptarëve në jetën suedeze, kapërcimin e vështirësive të para nëpërmjet këshillimeve dhe informacioneve profesionale, etj. Po ashtu, ne synojmë që të rrisim presionin në qeverinë suedeze dhe respektivisht ato të Tiranës dhe Prishtinës, për çështje që i’u interesojnë bashkëatdhetarëve tanë. Një synim kryesor i shoqatës është edhe prezantimi i turizmit dhe bukurive të tjera natyrore shqiptare për publikun suedez.
A ka një mosbesim ndaj shoqatave?
Po. Fillimisht, ka një dyshim ndaj çdo organizimi për arsye që secili i di vetë. A duhet të na besoni ne? Ne do të thonim që mos besoni më shumë fjalët që themi, sesa përpjekjet dhe punët që do të bëjmë. Ajo që ne si bord drejtimi i kësaj shoqate ofrojmë është dëshira, ndershmëria dhe gatishmëria për të bërë diçka ndryshe dhe më të prekshme për komunitetin tonë. Kjo është një nismë vullnetare, por ne ofrojmë dëshirën, kohën dhe eksperiencën tonë. Sigurisht kjo nismë nuk mund të shkojë larg, nëse nuk ka edhe një angazhim të madh nga të gjithë. Ne jemi të bindur se në komunitetin tonë ka plot persona të tjerë të përgatitur profesionalisht, të dëshiruar, të gatshëm dhe me potencial edhe më të madh për të kontribuar në çështjet për të cilat shkruam më lart, ndaj ftojmë këdo që e ndjen veten që mund të ndihmojë, t’i bashkëngjitet nismës tonë.
Rrjeti i mësuesve të gjuhës amtare në Stockholm, ka shprehur dëshirën për bashkëpunim dhe ne e kemi mirëpritur.
Ne kemi besim se nuk do të paragjykohemi, por do të kemi ndihmën tuaj për të pasur sukses në këtë nismë jo fort të lehtë.
Rreth mënyrës së regjistrimit të anëtarësisë dhe detaje të tjera teknike, do të kemi njoftime të tjera në vijim.
Po ashtu do t’iu paraqesim edhe logon e shoqatës, numrin e regjistrimit të organizatës si dhe konton bankare.
Bordi i drejtimit të shoqatës TEUTA, përbëhet nga:
Diana Thomai, gazetare (Vushtri)- anëtare
Fation Metellari, ekonomist, menaxher (Pogradec)-anëtar
Merita Hida Ymeri, mësuese (Elbasan)-anëtare
Zijadin Kadriu, teknik (Gjilan)-arkëtar
Elsa Alliu, administratore (Librazhd)-sekretare
Shuquri S-Sejdijaj, gazetar, publicist (Prishtinë)-nënkryetar
Arben Vata, gazetar, mësues (Kukës)- kryetar
Me respekt
Bordi i shoqatës TEUTA e Stockhomit
Stockhom, 18 mars 2022