Analizë

“Duhet të kesh ecur me këpucët e mia më parë, pastaj mund të më gjykosh.”


Emigrantët shqiptarë në Greqi.

Dua të shkruaj për sulmet e vazhdueshme që u bëhen emigrantëve shqiptarë në Greqi nga gjysma e familjes së tyre në Shqipëri.

A është mosmirnjohja e vetmja arsye që shqiptarët e Greqisë sulmohen, apo arsyeja është se atje ka më shumë shqiptarë emigrantë dhe ky fenomen vihet re më lehtë?

Fëmijët shqiptarë të rritur në të gjitha vendet e tjera kanë në 90% problem me gjuhën shqipe.

Shpesh edhe prinderit “harrohen” dhe flasin gjuhën e vendit ku jetojnë.

Sigurisht që ky fenomen është një problem shumë serioz.

Këto ditë u publikua një artikull, ku paraqiten, diku në një nga bregdetet shqiptare, dy familje shqiptarësh emigrantë, një familje nga Kosova që  vinin nga Gjermania dhe një familje nga Shqipëria që vinin nga Greqia.

Në këtë shkrim vihet re nje urrejtje e përgjithshme ndaj familjes emigrante nga Greqia dhe nje “hyjnëzim” të asaj kosovare!

Gjykohet jo vetëm gjuha që ata flasin, por e gjithë sjellja e tyre, madje madje duke zgjedhur dhe shijet e tyre personale si më të ulëta,  automjeti që ata kanë, ndërsa shijet e familjes kosovare si bio/shqiptare/të shëndetshme dhe sigurisht makina e tyre është e shtrenjtë!

Është absurde kjo!

Nuk mund ta kuptoj arsyen se përse ndodh ky fenomen!

Vitet e fundit kam vënë re ”një sulm” do të thoja, nga shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, dmth nga gjysma e familjes sonë atje, ndaj gjysmës së familjes që jeton në Greqi!

Pse?!

Në vitet kur në Shqipëri s’kishte më akoma dhe ushqim bazë, gjysma e familjeve tona u nisën me një bukë në trastë dhe kaluan kufirin drejt Greqisë.

Ikën me këmbë, maleve, drejt një të ardhmje më të mirë dhe ushqim… për ta por edhe për tryezën e gjysmës së familjes së lënë mbrapa.

Nuk ka asnjë nga emigrantët që ikën në Greqi dhe nuk ka dërguar qoftë dhe një herë para nga djersa e tij tek gjysma e familjes së mbetur në Shqipëri.

Greqia ishte vendi më i afërt, prandaj dhe atje shkuan shumica, por Greqia nuk kishte të njëjtën ekonomi si Gjermania, Italia, Anglia, SHBA etj. Shqiptarët në Greqi nuk mund të bënin shumë para, makina të shtrenjta, vila luksoze. Jo se ata ishin më të dobët fizikisht apo mendërisht, por kaq jepte jeta në Greqi, kaq ishte ekonomia atje. 

Megjithatë, nga kursimet e tyre, nga djersa e tyre, ata dërgonin në Shqipëri më shumë para se shqiptarët emigrantë të të gjitha këtyre vendeve të tjera pasunike.

Vitet kaluan shpejt,  Greqia ra në një krizë ekonomike.   Kjo ndikoi dhe tek shqiptarët atje. Ata vështirësoheshin tashmë edhe familjen atje të mbajnë, kështu, fondet e ”pataksuara”,  drejt Shqipërisë u ndërprenë.

Dhe çfarë ndodhi, thoni ju?

Jua them unë. 

Lindën Jorgot e Halkidhës! 

Lindën shqiptarët/katundarët e Greqisë.

Ata qe kanë makina Seat e Fiat.

Ata që s’dinë të porosisin në një lokal.

Ata që ”s’duan” të flasin shqip.

Ata që janë paleksa/pabuksa, edhe pse ti ndoshta ke nje biznes që po punon tani, apo një shtëpi ku jeton, me paratë e tyre…

Ata të Greqisë, që ti sot mundohesh të gjesh dhe shfrytëzosh çdo gabim të tyre për t’i përbuzur!

Ata, që tani nuk duan as Shqipërinë. 

Ata që ”xhamadani vija vija” nuk u tërhiqka as vëmendjen!

Ata, ata të Greqisë… 

Pse?

Edhe ata të Italisë flasin italisht, të Gjermanisë  gjermanisht, Suedisë suedisht, të Anglisë anglisht, e kështu me rradhë.

Të gjithë harrojnë, ngatërrohen, flasin gjuhën ku jetojnë… fëmijët e tyre, e të gjithëve në propocion bëjnë të njëjtën gjë…

I shikoj këtu në Suedi fëmijët që janë lindur apo rritur këtu. (Edhe pse këtu shteti u mundëson fëmijëve të mësojnë në shkollë gjuhën amtare, ata preferojnë të flasin suedisht!)

Pra, mjaft më sulmeve ndaj gjysmës së familjes.

Mjaft më sulmeve ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. Nuk jeni ju me shqiptarë se ata. Nuk keni bërë ju më shumë se ata.

Mjaft më.

Por nëse do akoma ti gjykosh, bëje, por më parë vish këpucët e tyre, ec në rrugën e tyre… dhe bëje!

Nga Eduart Ndreu

Exit mobile version