Iliri e mbaroi pjesën kur u përdor si hero dhe pastaj u flak tutje. Mundësia i është dhënë. Qeveria ia dha dorën. Ndoshta ai nuk ka ditur të kapi mundësinë dhe të dali në radhët e mbështetësve të qeverisë.

Iliri e mbaroi pjesën ku dhe puna e tij, talenti i tij u paraqit si një arritje e qeverisë. Ndoshta ai nuk ka ditur se si të vazhdonte të njëjtën linjë dhe qeveria ta kuptonte që ai ishte mirënjohës ndaj tyre për talentin e tij. Iliri duhet të dijë të thojë Faleminderit!

Iliri e mbaroi pjesën ku shkëlqente dhe tërhiqte vëmendje. Një propagandë qeveritare si mbështetëse e tij automatikisht të jep mbështetësit e Ilirit dhe anasjelltas. Ndoshta ai nuk ka ditur ti mbaj ata mbështetës se nuk di të flasi në gjuhën e qeverisë.

Iliri është fajtor sepse nuk di të serviloset. Servilizmi është art më vete. Do talent të rrallë. Tani si e pamë po vuante pasojat e veprimeve të tij krenare.

Iliri u bë viral sepse përsëri gaboi dhe tha mendimin e tij. Do lihet përsëri në harresë! Ata që e shpërndanë do gjejnë një Ilir tjetër për të përfolur dhe qeveria një Ilir tjetër që do bëjë propagandë.
Iliri është si shumë të tjerë.
Një person me talent që shkon dëm në vendin tonë ku vetëm jo të talentuarit kanë mundësira.

Prandaj Iliri duhet lënë i qetë dhe duhet të mos bëjmë sikur jetojmë në Mars dhe nuk e dimë që këto janë histori të ditura dhe normale.

Iliri nuk ka nevojë për mëshirë dhe as vëmendje. Iliri nuk ka nevojë as për duartrokitje.

Kjo më bën të mendoj cdo ditë e më shumë: Sa shumë duhet të ketë si Iliri!

Esmeralda Hakaj