Janë disa arsye që përfundimisht sollën këtë rezultat që duhet t’a pranojmë ishte shumë i nevojshëm për të gjithe qytetarët shqiptarë të Skandinavisë.

Lajm shumë i mirë dhe i nevojshëm për të gjithë ne krijimi i mundësisë së aplikimit për pasaportë në ambasadën shqiptare në Stockholm!

Po fillojmë nga ne dhe ajo që ne bëjmë.
Ne jemi një grup miqsh, të cilët 3/4 vitet e fundit jemi munduar t’i bashkojmë shqiptarët dhe të jemi sa më pranë njëri-tjetrit. Keshtu krijuam në fillim një faqe në Facebook ku filluam të ndanim përvojën mbi jetën dhe integrimin tonë në këtë vend të ri ku emigruam. Me një kulturë ndryshe nga e jona dhe sigurisht një jetë jo si ajo që ishim mësuar! Kjo u nis me dëshirën tonë që ata bashkëatdhetarë që vijnë çdo ditë në Suedi si emigrantë (pasi Suedia tashmë është një nga shtetet më të dëshiruara nga shqiptarët) të mos kenë të të njëjtat vështirësi, ashtu si ne kishim.

Pas kësaj, shumë miq u bashkuan! Kështu krijuam dhe grupin tonë në Facebook. Me një shpejtësi marramendëse pjesa më e madhe e shqiptarëve banorë të Suedisë i’u bashkuan grupit, gjithashtu shumë nga ata që duan të vijnë bënë të njëjtën gjë.
Për rreth një vit u bëmë grupi i shqiptarëve me i madh dhe aktiv në gjithë Skandinavinë! Kështu që krijuam dhe një webbfaqe, albaner.nu, ku vendosim çdo informacion të mundshëm per jetën në Suedi.

Tani, rikthehemi tek pasaporta dhe mundësia e aplikimit këtu në Stockholm.
Është e sigurtë se grupi dhe faqja jonë ka ndihmuar ne këtë proces. Ne kemi bërë thirrje për nevojat tona dhe veçanarisht për pasaportë edhe me peticion, por dhe nga autoriteti si grupi më i madh dhe më aktiv i shqiptarëve në gjithë Skandinavinë!
Besoj se ata, ”qeveria” e ka shqyrtuar dhe e ka kontrolluar komunitetin shqiptar në Skandinavi dhe sigurisht nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se të zgjidhte Stockholmin.
”Votimet dhe dëshirën e qeverisë për të marrë vota tani në zgjedhje, nuk po i vendos në shkrimin tim”. Mjafton për ne që e drejta jonë u arrit.
Gjithashtu ka qenë koronavirusi që veshtirëson vajtjen ne Shqipëri për të nxjerrë pasaportën e re.
Por kjo është gjithashtu një ndihmë ekonomike për shtetin shqiptar, pasi çmimi për të nxjerrë një pasaportë jashtë Shqiperisë është mjaft i majmë…
Shumë para shkojnë pa të drejtë ne buxhetin e shtetit tonë.
Pse e them këtë?
E them, pasi për të nxjerrë një pasaportë në shtetet e tjera evropiane është shumë më lirë.
Gjithashtu pabarazia ndër shtetet e EU në çmim është e padrejtë! Si vendoset ky çmim i ndryshëm për të njëjtin subjekt?!
Është po e njëjta gjë që marrim! Qeveria, bën të njëjtën punë njëlloj për të gjithë, është i njëjti konsum për të gjithë. Pse nuk duhet të paguajmë njëlloj?!

Unë shpreha një padrejtësi mbi çmimin, por kjo s’duhet të na pengojë në të ardhmen te jemi të bashkuar dhe të kërkojmë gjithmonë të drejtat tona.

E përshëndes sidoqoftë këtë hap të qeverisë sonë! Ishte më se i duhur.

Le të mendojmë dhe kërkojmë në vazhdim që të zbatohet çdo e drejtë që kemi si qytetarë shqiptarë.

Nga Eduart Ndreu, Jönköping Suedi.