Ndër pasuritë natyrore me të cilat natyra ka bekuar Shqipërinë bëjnë pjesë, madje me peshë të madhe ekonomike e strategjike, edhe pasuritë e nëntokës siҫ janë: hidrokarburet dhe metalet.

Janë sektorë të ekonomik me peshë, por për fat të keq ne kemi 30 vjet që nuk po ua shikojmë hajrin.

Në këta sektorë të vështirë, por shumë fitmprurës punojnë naftëtarët, dhe miniatorët, të cilët edhe në vitin 2020,nuk kanë kushtet minimale të nevojshme të vendit të punës, por nuk ankohen!

Ikën një qeveri e vjen një tjetër, lind një diell e perëndon e rilind përsëri e naftëtarët dhe  minatorët janë po në një gjendje. Naftëtarët e minatorët, marrin rrogën sipas tekave të pronarëve të tyre si në sasi dhe në kohë dhe përsëri nuk ankohen.

Naftëtarët jetojnë në qytetin e gazit sëbashku me familjen e tyre me atë erë të tmerrshme, e në skajet më të ftohta të vendit pa oksigjen të mjaftueshëm dhe përsëri nuk ankohen. Pothuajse 90 % e tyre vuajnë nga sëmundje të ndryshme, ku një pjesë jo e vogël diagnostifikohet me kancer ,por ata përsëri nuk ankohen!

Naftëtarët dhe minatorët, presin me ankth ndryshimin e pronarëve galerive apo të Uzinës me shpresë se do paguhen për punën e tyre. Të shkretët naftëtarë e minatorë!

Thonë se lekët e naftëtarëve dhe minatorëve janë lekë gjaku. Çdo ditë pune ata e paguajnë me ditë jete ,por lekë nuk ka asgjëkundi. Pronarët e konҫesioneve dhe uzinës pasurohen me hapa të frikshëm me gjakun e naftëtarëve dhe të minatorëve”.

Duhet mik të futesh dhe atje. Duhet mik që të paguhesh, me shpresë të Zotit, nëse pronarët e gjykojnë se duhen paguar  (se ligji si rregullator nuk zbatohet kurrë)!

Por, qeveria hesht! Institucionet përgjegjëse heshtin! Avokati i popullit hesht! Pushtetarët heshtin! Pronarët normalisht që do heshtin! Ju heshtni dhe unë hesht!

Naftëtarët dhe minatorët, punojnë për oligarkët nga kjo heshtje!

Heshtim dhe kur ata duan të flasin! Heshtim se mendojmë se nuk na përket! Të heshtësh për një padrejtësi, je automatikisht bashkëfajtor! Heshtja është gjithcka! Të heshtësh është ligësi kur duhet të flasësh. Ata heshtin ngaqë nuk i dëgjon njëri. Shteti është i shurdhër në tërë superstrukturën dhe formacionin e tij ekonomiko-shoqëror. Por kur thika u shkon në kockë ata nuk heshtin, skanë ç’humbasin.

Unë nuk dua të hesht për naftëtarët, që punojnë me gjak për oligarkët dhe interesat e pushtetarëve.

Kërkoj nga organet e drejtësisë së re të shqyrtojë kontratën konçesionare e do të gjejë zullume të mëdha. Do të mësojë pse Marinza u shkatërrua nga plasjet dhe u mbyt nga argjila e ujëzuar. Do kuptojnë pse nëntoka jonë (pasuria kombëtare e shqipëtarëve) shfrytëzohet barbarisht pa asnjë benefit për ekonominë kombëtare.

A e dini pse? Sepse kontrata ka përcaktuar nje kufi sasion për të cilin një konçesionar i detyrohet shtetit, por nuk kufizohet në sasinë që do të nxjerr. Konҫesionari duke rritur prodhimin me shifra të frikshme 10 deri në 100 herë nuk paguan asnjë “kacidhe”, por rrit pasurinë private nëpërmjet shfrytëzimit të pasurive tona kombëtare.

Sot, naftëtarët nuk po heshtin! Po ju?