Nga Shqiptar Oseku

Sivjet mbushen 78 vjet qëkur Enver Hoxha, në korrik 1942, botoi në emër të komunistëve shqiptarë artikullin “Thirrje fshatarësisë së Shqipërisë”, ku fshatarëve shqiptarë u premton reformë agrare, tokë, bukë, e liri nga shtypja, nëse do të mbështesnin luftën e komunistëve.

Pas luftës, në nëntor 1946, komunistët kryen reformën agrare, e shpronësuan çifligarët e mëdhenj. Por tokën e marrë prej çifligarësh shteti e mbajti për vete, e fshtarëve u dha bërrylin. Toka e premtuar u kolektivizua. Sekretaret e partisë u bënë bejlerë e agallarë të dytë.

Them se është me rëndësi që të përmendet ky përvjetor, pse ngërthen në vete tërë hipokrizinë e enverizmit. Sidomos e majta demokratike, ka detyrim moral ta permend rregullisht. Se ka edhe sot neoenveristë, nëse mund ta përdor këtë term për njerëz të lindur pas viteve 1980, qe glorifikojnë tiranin Enver Hoxha pse ”ai ndërtoi shtet”. Dhe po, është e saktë: ai ndërtoi një shtet. Çështja është, çfarë shteti.

E vërteta është se edhe tiranët ndërtojnë një shtet. Por ndërtojnë një shtet që reflekton natyrën e tyre: një shtet kriminel megaloman, që shtyp njerëzit me këmbë si të ishin bubrreca. Homeini ndërtoi republikën islamike. Lenini e Stalini ndërtuan shtetin sovjetik, me sheshet e Kremlinit dhe kampet e Gulagut. Hitleri ndërtoi industri, autoban e stadium olimpik, si dhe kampe përqendrimi. Xhengis Kani ndërtoi shtetin më të madh perandorak që njëh historia. Përshkrimet e fratit franciskan Vilhelmit të Rubrukut më 1254 nga kryeqyteti i Xhengis Khanit në Kara-Korum përshkruajnë një vend që fratit të varfër i kujton parajsën, veçse me më shumë ar, argjend, e xhevahirë se mbretnia e Zotit: vetëm fontanave të argjendta në qendër të Kara-Korumit ai u kushton i mahnitur mbi 5 faqe. Por Xhengis Kani kish vrarë më shumë njerëz, e në mënyra më bizare, se ç’kish ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit.

Dikush mund të argumentojë se Enveri e rriti Shqipërinë në shifra totale, pra krahasuar me të kaluarën. Dhe kjo qëndron. Por qëndron edhe tjetra. Se në shifra relative (ta zëmë, krahasuar me fqinjët) politikat e tij ekonomike – ndalimi i pronës private, kooperatizimi i bujqësisë dhe blegtorisë, ndalimi i huave, kufizimi i konsumit privat – e ndrydhën Shqipërinë, gjer në nivel të urisë e tallonave. E prape fanatiket ngulmonin se do te hane bar, nvs te ndryshojne dicka. Shqipëria pas Enverit qe zhytur ca më thellë aty ku e kish gjetur Enveri, në pozitën e vendit më të varfër në Europë. Madje me diferencë më të madhe karshi vendeve përreth se në kohë të Zogut; pale ta krahasojmë me Gjermaninë a Italinë, pushtuesit që kishin humbur luftën.

Si profeminist, unë nuk mohoj që enverizmi pruri një emancipim social të gruas. Por ky emancipim social nuk u be edhe emancipim politik. Ai matej me pikatore, aq sa i duhej Enverit për të legjitimuar diktaturën. Strukturat e pushtetit sundoheshin nga burra, morali i partisë mbeti patriarkal, e gratë privoheshin nga të drejtat reproduktive, me kufizime më të ashpra se në Iran. Ky ”fake feminism”, me grate si dekor rreth sekretarit te pergjithshem burre, ishte fenomen i gjithe kampit komunist.

Eriada Çela, studiuse nga Universiteti i Elbasanit, shkruan se synimi i enverizmit “nuk ishte emancipimi i mirëfilltë i grave, por përdorimi i tyre si forcë punëtore”, për të fuqizuar pushtetin. Regjimi, shkruan ajo, “nuk u ofroi grave mbështetjen e duhur, as burrave edukimin e duhur për të ndarë me gratë përgjegjësitë në familje njësoj si në vende të punës”.

Fatbardha Saraçi, autore e librit “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, ka dëshmuar në 600 fq shtypjen e grave nën diktaturë. Ajo përmend gra që torturohen, burgosen, internohen, shkaku i burrit, vëllait, djalit. Gra që dhunohen seksualisht nga gardianë, shefa kooperative, sekretarë partie, pa i hyrë kujt ferrë në këmbë: gra që edhe sot rrojnë pa treguar, pse askush nuk kërkon dëshmitë e tyre. Ajo numëron edhe 736 gra të dënuara me burg, e 450 gra të ekzekutuara. Viktima e fundit e komunizmit, Dhurata Sokoli, u vra në kufi në prill 1990 pse kish tentuar të arratiset për një dashuri të ndaluar nga lufta e klasave.

Athua vertet ishin ”armiq te popullit”, viktimat e tiranit? Botuesit e Tiranës, që ne vitet 1930 kishin arritur të botojnë një pjesë të mirë të klasikëve botërorë, u ekzekutuan me të hyrë Enveri në Tiranë më 1945. Athua vërtet paskan qenë kundër shkrim-leximit? Viktor Starobërda, regjisori i parë i një filmi shqiptar, athua vertet u godit nga Enveri pse paska qenë kundër artit? Bursistët e numert te fondacionit Fulbright, kishin luftuar anembanë Shqipërisë sëmundjet, varfërinë, e konditat e këqia, madje edhe gjatë krajatave të luftës botërore. Ata te gjithe u vranë, u burgosën, e u internuan prej Enverit. Athua paskan qene ata kundër progresit socioekonomik?

Musine Kokalari, ishte e para grua shqiptare që kish doktoruar në letërsi në Firencë qysh para lufte. Antifashiste, aktiviste për të drejta grash, themeltare e Partisë Social-Demokratike të Shqipërisë. Ajo u burgos dhe vdiq në internim. Athua ajo vërtet paska qenë kundër emancipimit të grave?

Jo. Ata e mijëra tjere te dokumentuar u vranë thjesht pse ekzistenca e tyre shihej si kërcënim nga një psikopat i dhunshëm.

Enveri nuk pati shtet gjigant si Xhengis Kani. Por në Shqipërinë lilipute ai urdhëroi mëse 7,5 mijë ekzekutime; mëse 20.8 mijë të burgosur, prej tyre mbi 1.7 mijë të vdekur në burg; e mëse 23,2 mijë të internuar: të grabitur prej shtetit, e të flakur në rrugë prej strehësh të veta. Kjo sipas shifrash ende të papërplotësuara nga viti 1949, se krimet partizance më parë as janë regjistruar. Si motivohen këto shifra horrori?

A u hoq dallimi klasor në Shqipëri nga gjithë ai terror i kuq? Jo, ai veç këmbeu aktorët, e u trash ca me zi. Ne kohe te Zogut, edhe femija e varfer, nese shquhej ne shkolle, mund te fitonte privilegjin e nje burse te shtetit per studime jashte. Vete Enver Hoxha perfitoi nga ai privilegj, kur iku gjoja te studionte ne France. Ndersa ne kohe te tij, femijet e te internuarve vdisnin si mizat ne Tepelenë: privilegjet ishin vec per kalamajtë e Partisë.

Xhingis Kani, Lenini, Stalini, Homeini, Hitleri, të gjithë sot quhen troç tiranë. Në Gjermaninë e sotme, nëse kritikës ndaj Hitlerit i përgjigjesh me argumentin se ai ndërtoi autobahn, të dënon ligji për glorifikim të diktaturës. Sepse ke pohuar se disa kilometra rrugë të asfaltuar justifikojnë holokaustin e kampeve të përqendrimit në Treblinka, Buchenwald, Auschwitz. E njëjta duhej të ishte edhe për Enverin. Fakti qe nuk eshte na deshmon se sa fort nxin ende mbi ne hija e tiranit.

Sivjet mbushen 78 vjet qëkur Enver Hoxha u premtoi fshatarëve shqiptarë reformë agrare, tokë, bukë, e liri nga shtypja. Pas luftës, fshtarëve u dha bërrylin. Atyre qe protestuan u dha togun e pushkatimit, Spacin, Burrelin, e Tepelenën.

Fjalët e Enverit dhe veprat diametralisht të kundërta – ajo që quajmë demagogji – duhet të studiohen në të gjitha kathedrat shqiptare historisë, si vaksinë kundër virusit totalitar. Dhe nje e majte qe kerkon te quhet demokratike ka detyrim moral ta beje kete sa me parë.