Pyetje & Komenti im i shkurtër drejtuar Presidentit Ilir Meta në programin “Tempora” të Sonila Meco.
Përgjigja e Presidentit ishte mbresëlënëse
.


Zoti President,
“Përtej çdo dyshimi të arsyeshëm” është standardi ligjor i provës, që kërkohet për të vërtetuar një dënim penal në shumicën e sistemeve juridike kundërshtare (prokuror vs avokat). Ky është standardi më i lartë i provës, krahasuar me “bilancin e mundësive” (që zakonisht përdoret në çështjet civile) dhe për këtë arsye, ky lloj standardi aplikohet në mënyrë strikte për çështje penale, ku ajo që është në diskutim (p.sh. liria e dikujt) konsiderohet shumë serioze.
Në të vërtetë pyetja është alarmante:
Si mund të provohet se X infektoi qëllimisht Y me Sars-CoV2, një virus aerogjen ky, që për asnjë të infektuar në botë, e përsëris, asnjë të infektuar në botën që njohim, me asnjë provë mjeksore, nuk mund të “provohet përtej çdo dyshimi”, se kur, si, në ç’formë dikush e ka marrë virusin?!
Si mund të provohet shkencërisht se Filani infektoi Fistekun, e “gjuajti me virus” për shkaqe banale, ose për arsye hakmarrje, dhe se, për të njëjtat arsye, nuk do t’i fuste një plumb, siç ndodhë rëndom çdo ditë në Shqipëri?!
Si mundet të kriminalizohet përhapja e një virusi gripal, aerogjen, nga frika e të cilit u mbyllë bota? Për më tepër, kur ky virus përhapet nëpërmjet një procesi jetësor ekzistencial, si frymëmarrja e njeriut?!
Ju merrni si shembull Kodin Penal të Danimarkës.
Saktë, por ai Ligj flet për sëmundje infektive që mund të provohen se janë transmetuar qëllimisht nëpërmjet kontaktit të ngushtë fizik (sëmundje infektive të lëkurës) ose marrdhënieve seksuale (HIV-AIDS), por kurrësesi për viruse që shpërndahen pa vetdije, vetëm nëpërmjet frymëmarrjes njerëzore.
Apo tashmë, të marrësh frymë është një krim, sipas Kodit tonë Penal? Si është e mundur të Dekretoni një Ligj kaq të tmerrshëm, dhe të keni guximin t’a mbroni atë, publikisht?
Për më tepër, si mundet të ndryshohet Kodi Penal në kohë të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, që implikon direkt elemente të shkaqeve për të cilat është shpallur kjo gjendje, domethënë, ju dekretoni këto ndryshime në Kodin Penal, kur ndërkohë, këto vepra penale po “konsumoheshin” masivisht nga popullsia e planetit, por edhe nga qytetarët shqiptar.
A jeni të ndërgjegjshëm se këto ndryshime në Ligj kanë shkaktuar implikime serioze, në kundërshtim me Artikujt e Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, dhe Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, duke shkelur në mënyrë flagrante parimin e sigurisë ligjore, sepse me miratimin e një ligji evaziv dhe krejtësisht të paqartë, por edhe të pamundur për t’u standartizuar me prova shkencore para gjykatës, mundësia për abuzime me lirinë e qytetarëve eshte shumë e lartë?
Unë rezervoj të drejtën për të argumentuar më në thellësi këto shqetësime serioze, në një shkrim më të gjatë.

Erl Kodra