Rama ka të drejtë; mediat janë kazan
-3 maji, ditë për gazetarët e terrenit dhe jo për “butakët” mediatikë

Që në fillim dua të sqaroj se ky përcaktim nuk ka të bëjë me gazetarët e terrenit apo me stafin tjetër të gazetarëve e punonjësve të tjerë të medias, të cilët nuk i shohim asnjeherë në ekrane apo në frontin e parë.
Fjala është për analistët, drejtuesit e emisioneve politike, të portaleve, drejtorët e informacionit, kryeredaktorë apo shefa të tjerë të kësaj kategorie.
Sigurisht jo për të gjithë, sepse edhe pse Rama i fut të gjithë në një kazan, ata nuk mund të përfshihen të gjithë në kazanin e pistë e të pa moraltë të kapjes nga politika apo të shërbimit ndaj saj.

Pse them se Rama ka të drejtë? Sepse është shumë e vështirë të gjesh një syresh nga kategoritë e mësipërme që nuk i ka shërbyer me radhë qeverive të Meksit, Nanos, Majkos, Metës, Berishës e së fundi Ramës (këtij madje edhe kur drejtoi Bashkinë e Tiranës për 11 vjet). Është vërtetë shumë e vështirë të gjesh dikë që nuk ka “shëtitur” nga njëri kryeministër në tjetrin. Numërohen me gishtat e njërës dorë faktikisht.
Për ata që kanë memorie të kënaqshme të zhvillimeve politiko-mediatike të 25 viteve të fundit, e ka mjaft të qartë se personazhet që zënë përnatë hapësirat televizive, faqet e gazetave apo të portaleve, nuk janë gjë tjetër përveçse kameleonë dhe “butakë” mediatikë që kanë ndërruar padronin sa herë ka ndryshuar timoni i qeverisë. Tani që timonin e ka Rama, nuk e ka aspak problem përse u thotë kështu, pasi edhe ua njeh “biografinë” profesionale dhe e di se si të tillë nuk mund të jenë të rrezikshëm për të.
Shikoni se cilët janë sot mediat kundërshtare të qeverisë për të kuptuar se cilët janë jashtë kazanit, pavarësisht që edhe nëpërmjet tyre ka drejtues të niveleve të ndryshme që vite me radhë u kanë shërbyer qeverive të çdo lloj ngjyre.

Nuk është e rëndësishme të përmenden me emra, pasi secili që është ndjekës i medias e politikës, i ka parasysh. Ajo që dua të them është se nuk është serioze ti merrni ata seriozisht. Dhe për më tepër, kur pas pak ditësh më 3 maj, të flasim për lirinë e medias në ditën e saj ndërkombëtare, të shqetësohemi jo për këta “butakë” që u marrin kohën tuaj, por për atë ushtri gazetarësh të terrenit e stafin tjetër të padukshëm, të cilët janë me të vërtetë shtylla kurrizore e mediave.
Këtyre që do të dalin të flasin sërish për lirinë e mediave, mjafton tu bësh një verifikim të pasurive të tyre, për të kuptuar se ato kanë ardhur vërtetë siç thotë Rama, nga kazani i pistë i përzierjes së politikës me median. Ndaj përpara se të dëgjoni analistin e radhës që tregon se a jemi më mirë apo më keq se në këtë apo atë kohë, shikoni sesi është ekonomia juaj familjare dhe të drejtat e juaja qytetare.

Nga Arben Vata