Na ishte një herë e një kohë një pyll i bukur i mbushur me pemë të gjitha llojeve plot fryte, uji rridhte ngado, toka ishte shumë pjellore, aty mund të gjeje gjithçka të donte zemra.

Por ky pyll ishte i shkretë, askush nuk jetonte aty.

Një ditë prej ditësh, një shqiponjë e cila po fluturonte lart në qiellin e kaltër për të kërkuar ushqim, pasi në vendin nga ku ajo vinte kishte rënë zija e urisë, hodhi vështrimin poshtë dhe mbeti e mahnitur nga ajo që pa.

E lumtur dhe krenare ajo u kthye në vendlindje dhe u tregoi të gjithë miqve të saj atë që kishte zbuluar.

-Duhet të shkojmë të gjithë atje, do kemi të gjitha të mirat dhe do jetojmë të lumtur, u tha ajo.

Të gjithë e respektonin shqiponjën për zgjuarsinë, trimërinë dhe fuqinë e saj, peandaj vendosën ti besonin dhe të shkonin pas saj drejt pyllit të begatë.

Dhe kështu bënë.

Kafshë e shpendë, të gjithë sëbashku u nisën pas shqiponjës krenare për në pyllit tonë.

Kur arritën atje mbetën të mahnitur nga ato qe u panë syte, prandaj e falenderuan përsëri shqiponjën.

Shqiponja ndihej tani shumë krenare!

Koha kalonte dhe për një kohë të gjatë jetuan të gjithë mirë, mirëpo ushqimet filluan të mbaronin pasi jo të gjithë ndihmonin njëlloj. Shqiponja nuk bënte asnjë punë, ajo vinte gjithë ditën rrotull duke u thënë e stërthënë të gjithëve me krenari për atë që kishte bërë, sa ishte bërë e bezdisur për banorët e tjerë, të cilët punonin të gjithë sëbashku për të siguruar ushqimin e së nesërmes.

Kështu kafshë e shpendë u mblodhën në një këshill dhe vendosën që ta ndanin pyllin në pjesë për secilin prej tyre, në mënyrë që secili të përfitonte djersën e tij.

Edhe pse bënë kështu, shqiponja vazhdonte të sajën, sepse kështu ishte mësuar, mirëpo tani askush s’ja vinte më veshin. Madje tani ata filluan ta urrenin dhe akuzonin atë, pasi shqiponja meqë nuk punonte u vidhte atyre ushqimin. Pothuajse asnjë nuk i fliste më asaj.

Tashmë secili punonte fort pjesën e tyre të tokës, ata ndërtonin shtëpi më të mira, rrugë, fabrika, spitale, hapnin shkolla etj etj. Jetesa e tyre bëhej çdo ditë dhe më e mirë. Ndërkohë që gjithë të tjerët punonin dhe gëzonin shëndet të plotë, shqiponja e kishte humbur tashmë jo vetëm krenarinë e saj por ishte dobësuar shumë, foleja e saj ishte si mos më keq, fëmijët e saj ishin të uritur.

Edhe pse ishte në gjendje kaq të keqe, shqiponja s’mund ta harronte krenarinë e saj dhe dëshirën për tu mburrur… por tani asnjeri nuk i kushtonte vëmendje, madje të gjithë e përçmonin atë.

Bëri ç’bëri dhe e gjeti zgjidhjen!

“Do shkoj tek dhelpra e cila është magjistare dhe do i kërkoj të më krijojë një kokë të dytë në mënyrë që unë mund të bisedoj me të dhe ajo nuk mund të shkojë asgjëkundi dhe do më dëgjojë patjetër sa herë që i flas”, mendoi ajo.

Hapi krahët e saj dhe fluturoi për tek dhelpra e cila jetonte aty pranë.

Pasi e përshëndeti, i tregoi për hallin e saj.

-Dhelpër e dashur, ti je magjistare dhe bën çdo magji, a mund të më bësh mua me dy koka?

Dhelpra dinake u mendua pak, ajo prej kohësh lakmonte që ti merrte shqiponjës pjesë nga territori i saj, por nuk kishte guxuar ta bënte sepse shqiponja edhe pse ishte dobësuar shumë, ishte akoma e fuqishme dhe mund t’ja çirrte sytë vetëm me një të goditur. Por tani! Tani, shqiponja mund të mposhtej! Nëse do ketë dy koka, të dyja do jenë njëlloj dhe do zihen çdo ditë me njëra-tjetrën, kështu shqiponja do të dobësohet kaq shumë sa unë do i marr gjithçka!

Kështu dhelpra pranoi dhe me një të lëvizur të shkopit magjik e bëri shqiponjën me dy koka të njëjta.

Shqiponja e gëzuar e falenderoi, rrahu krahët, fluturoi dhe u kthye në shtëpi.

Ditët kalonin dhe të dy kokat e shqiponjës bisedonin gjithë mburrje e krenari me njëra-tjetrën, por kjo gjithnjë e më shumë përfundonte në zënka, pasi të dyja ishin krenare e kokëforta. Madje shpeshherë ato as që flisnin me njëra-tjetrën. Jeta e shqiponjës u bë akoma më e vështire, ato nuk binin dakort në asgjë dhe kështu shqiponja nuk mund të punonte edhe pse tashmë donte, pasi uria ishte shumë e madhe. Ajo u dobësua kaq shumë sa dhelpra dhe gjarpëri që i kishte fqinj filluan dita ditës t’i merrnin nga territori i saj. Shqiponja nuk kishte fuqi që ti mbronte më ato. Ajo humbi pothuajse gjithçka, krenarinë, forcën, zgjuarsinë… tashmë i ka mbetur vetëm kokëforcia dhe atë e përdorin dy kokat e saj çdo ditë mes tyre.

Nga uria, fëmijët e saj largohen çdo ditë nga foleja dhe shtegtojnë nëpër territoret e tjëra për të siguruar ushqimin. Atje ata bëjnë gjithëfarë punësh për ta. Nuk janë më krenarë, madje janë të përçmuar prej tyre, në sytë e gjithë banorëve të pyllit ata janë vetëm bijtë e shqiponjës e cila nga krenaria, mendjemadhësia dhe kokëforcia humbi gjithçka që kishte. Shpesh zogjtë e saj maskohen dhe prezantohen si banorë të vendeve ku jetojnë dhe jo si bijtë e shqiponjës! Shumë prej tyre e kanë humbur krenarinë dhe mundohen të harrojnë gjakun që rreh ne damarët e tyre. Shpesh kur takohen mes tyre bëjnë sikur s’janë të të njëjtit gjak në mënyrë që të mos zbulohen prej banorëve të tjerë.

Sot shqiponja i shikon të gjitha këto, zemra e saj i dhemb shumë, ajo duhet të bëhet përsëri e fortë, ajo mund të bëhet përsëri e fortë, mjafton të mos dëgjojë të dy kokat. Është penduar që shkoi te dhelpra dhe i kërkoi ta bënte me dy koka.

Tashmë asaj i duhet të gjejë mënyrën se si ti kthejë ato përsëri në një të vetëm. Ajo e di se vetëm kështu mund t’ja nxjerrë sytë dhelprës dinake e t’ja shtypë kokën gjarpërit dhe të marrë mbrapa territorin e saj. Vetëm kështu do e rifitojë krenarinë e saj. Shpresojmë që ta gjejë mënyrën para se të jetë shumë vonë.

Eduart Ndreu 20/10/2018 Jönköping