Publikohen disa detaje, lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, në funksion të përballimit të situatës së shkaktuar nga COVID-19.

Ata persona që nuk do u binden rregullave të reja të nxjerra gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, dënohen me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Nëse shkelja përsëritet, shkon nga 30 ditë deri në 1 vit burg. Por nëse nga thyerja e rregullave rrezikohet jeta ose shkaktohet vdekja e një personi tjetër, dënimi është nga 1 deri në 5 vjet. Kush shkel rregullat e karantinimit dënohet jo më vetëm me gjobë 700 mijë lekë, siç ishte në aktin normativ, por me burg deri në 10 vjet. Nëse thyrja e karantinimit shkakton pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burg nga 3 deri në 10 vjet.

Pra, nëse personi që thyen karantinën është i infektuar dhe ia transmeton atë dikujt tjetër, rrezikon burgim deri në 10 vjet. Por nëse nga kjo shkelje, shkaktohet vdekja e një personi tjetër, dënimi është me burg nga 5 deri në 15 vjet.

Pra, nëse hetimi epidemiologjik zbulon se personi i infektuar me koronavirus që ka humbur jetën (hipotetikisht), ka pasur kontakt me personin që ka thyer karantinën, ku i fundit rrezikon burgun deri në 15 vite.  Këto janë propozimet e deputetes, Edlira Bode, që pritet të miratohen në Kuvend në seancën e 16 prillit. Ndryshimet në Kodin Penal i paralajmëroi kryeministri Edi Rama, në një komunikim publik mbrëmë.

Eduart Ndreu për albaner.nu