Sa i gabuar është vendimi i qeverisë suedeze për të mos marrë masa ekstreme kundër koronavirusit? Përgjigjia është e ndërlikuar, ka shumë pikëpyetje dhe konstatime.

Le ti marrim gjërat me rradhë…
Rasti i parë i infektuar në Suedi ishte me datën 31 janar kurse në Itali me 20 shkurt, Spanjë 24 shkurt.
Nëse e analizojmë sot situatën, Suedia ka një numër të lartë të testuarish pozitivë dhe vdekjesh, që nëse mund ta krahasojmë me dy shtetet e lartpërmendura, në bazë të popullsisë është shumë afër me ta. Danimarka, edhe pse ka marrë masa ekstreme me vetë karantinim, numri i të infektuarve dhe vdekjeve është në të njëjtin nivel me Suedinë (gjithmonë duke marrë parasysh numrin e popullsisë së dy vendeve).
Por Suedia nuk ka marrë masa ekstreme karantinimi. Të gjithë shkojnë në punë, shkollat e ciklit të ulët janë të gjitha të hapura, jeta vazhdon njëlloj. Ekonomia vazhdon pothuajse me të njëjtin hap. E përmend ekonominë, pasi pjesa më e madhe e shteteve të karantinuara janë në prag të greminës, mijëra biznese do jenë të detyruara të shkojnë drejt falimentimit të sigurtë. Miliona familje do mbeten pa të ardhura, pasi vende pune të paimagjinuara do të humben. Një botë të tërë do e pushtojë kaosi kur të dalim nga kjo pandemi mizore. Por një gjë e tillë s’do ndodhë me Suedinë dhe ne.
Të jemi të vetëdijshëm: Korona ka ardhur për t’i shkaktuar dëme të mëdha njerëzimit dhe nga ai s’mund të shpëtojë askush, sado masa ekstreme që të merren.
Suedia e ka patur me ligj para se të vinte virusi që një i punësuar mund të qëndrojë në shtëpi për 14 ditë dhe të marrë 80% të rrogës, madje pa asnjë raport nga mjeku! Vendet e tjera po mundohen ta aplikojnë tani nga halli.

Gjithashtu jemi të gjithë të vetëdijshëm se në Suedi testohen vetëm të moshuarit dhe ata që virusi u shkakton dëme serioze. Ka shumë e shumë të tjerë që janë të infektuar (përgjithësisht moshat e reja) por nuk i ka prekur rëndë dhe nuk janë testuar. E them këtë pasi para pak ditësh u bënë krahasime me Gjermaninë, se pse atje vdekjet janë në nivelin 0.8% të të infektuarve kurse këtu te ne në 4%. Përgjigjia është e thjeshtë: Gjermania po bën testime masive nga të gjitha moshat (edhe të rinjtë) kurse këtu vetëm të moshuarit në përgjithësi. Pra këto krahasime nuk kanë asnjë vlerë.

Tani, shkollat mbyllen nesër për pushimet e Pashkëve dhe kjo do jetë një frymëmarrje e madhe për ti izoluar pa e dëmtuar ekonominë, ”nëse gjendja do shkojë shumë më keq, fëmijet e shkollave të ciklit të ulët ka gjasa t’i fillojnë mësimet në distancë” (sot sapo mora një email nga shkolla ku më informonin se si do të veprojmë me fëmijët nëse* do mbyllen shkollat).

Korona virusi ka ardhur për të qëndruar tek ne, jo për dy javë a dy muaj por shumë më tepër. Asnjë nga ekspertët më të njohur që ka globi nuk mund të japë një shpjegim të saktë, as sa do qëndrojë dhe as se kur mund të kemi një vaksinë të sigurtë që ta luftojmë.

Çfarë duhet të bëjmë? Të fikim dritat, siç themi në gjuhën popullore?
Të gjitha problemet, vështirësitë, akoma më tepër humbjet, janë një barrë e rëndë për popullin por dhe për qeverinë suedeze. Jam bindur tashmë se ajo, qeveria, po bën më të mirën e mundur që të dalim nga kjo gjëmë që ka pushtuar gjithë botën dhe nuk po ndalon.

Ajo që duhet të bëjmë është t’i besojmë qeverisë dhe të kemi kurajë e besim se e gjithë kjo do kalojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe me sa më pak viktima.

Eduart Ndreu për Albaner.nu