Sot, të premten 27.03.2010 qeveria suedeze vendosi se ndalohen të gjitha tubimet me mbi 50 persona.

Ky ishte një vendim të cilin qeveria e mori për shkak të problemeve serioze që Suedia po përballet me rritjen e numrit të të infektuarve me korona virus.

Një vendim ndoshta i vonuar, pasi me çfarë shikojmë se po ndodh në gjithë globin dhe në veçanti Italinë, Spanjën, Francën, SHBA’të, Belgjikën, Iranin, Hollandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë vende të tjera, ku korona virus po shkakton dëme tragjike në rritjen e vdekjeve të të moshuarve dhe jo vetëm.

Çdo ditë lexojmë se korona virus po prek dhe moshat e reja. Nuk janë pra vetëm të moshuarit që rrezikohen, por është i gjithë njerëzimi në përgjithësi.

Lexojmë për 12 vjeçare që janë tashmë në gjendje kritike, për 16 vjeçare që vdesin pa sëmundje kronike. për 30 e 40 vjeçare…

Duhet të kuptojmë të gjithë se korona virusi na prek të gjithëve, prandaj duhet të jemi më të kujdesshëm.

A ka bërë/bën qeveria suedeze mjaftueshëm për mbrojtjen e qytetarëve të saj? Personalisht mendoj dhe besoj se ka bërë shumë pak.

Çfarë do të thotë: ndalohet grumbullimi mbi 50 njerëz?! Mendimi im personal është se është shumë pak. Por le ta pranojmë se është i mjaftueshëm. Sa fëmijë kanë shkollat fillore dhe kopshtet? A nuk kanë mbi 100 nxënës çdo shkollë? Pse atëherë nuk duhej që qeveria të mbyllte kopshtet dhe shkollat fillore?

Personalisht, edhe pse shikoj nga suedezët një qetësi të pashpjegueshme, mendoj se duhet të merren shumë më tepër masa, duhet urgjenësisht Suedia të futet në karandinë.

Kjo është mënyra që e gjithë bota po përdor.

Në vizitën e parë në Angli duke ecur me makinë. Në radio fillon të dëgjohet një thirrje nga spikeri i cili dukej i shqetësuar: Kujdes, kujdes, kujdes! Në autostradë po ecën një i çmendur në krah të kundërt!!!

Unë, i nervozuar: jo një i çmendur, janë me mijëra!!!

A jemi ne më të zgjuar se gjithë të tjerët?

Uroj që të mos provohet e kundërta në mënyrën më tragjike të mundur.

Nuk mjafton masa e ndalimit të grumbullimit mbi 50 persona.

NUK MJAFTON.

Eduart Ndreu Për Albaner.Nu